Për kremtimin e përvjetorit njëshekullor të bankingut qendror shqiptar, Banka e Shqipërisë ka emetuar monedhën përkujtimore pa kurs ligjor “100 vjet Banka e Shqipërisë, 1925-2025”.
Monedha simbolizon rëndësinë e institucionit të Bankës së Shqipërisë dhe përkujton ngjarjet kryesore që kanë shënuar zhvillimin e saj ndër vite.
Në shpinë, në të majtë qëndron portreti i një djali me veshje popullore të Shqipërisë së mesme, i konfiguruar në kartëmonedhën e parë të emetuar në vitin 1926 dhe në të djathtë, portreti i poetit dhe atdhetarit Asdreni i konfiguruar në kartëmonedhën 10000 Lekë, emetimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë.
Ndërsa, në faqe, monedha paraqet logon e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë dhe përreth ravijëzohen data historike për bankingun qendror shqiptar.
Kjo vepër nderon kujtesën institucionale dhe frymëzon besim për të ardhmen.