Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi “YLLI”-n, asistentin e parë virtual të fermerit shqiptar të bazuar në Inteligjencën Artificiale, si pjesë e Portalit të Fermerit dhe strategjisë “Bujqësia Digjitale për Shqipërinë 2030”.
Platforma synon të modernizojë sektorin bujqësor përmes aplikimeve online për skemat mbështetëse, aksesit në informacion agronomik dhe monitorimit të parcelave me të dhëna meteorologjike.
“YLLI” do të komunikojë në gjuhën shqipe dhe do t’u ofrojë fermerëve asistencë të menjëhershme për nevojat e aktivitetit të tyre bujqësor.
Ministri Salla theksoi se digjitalizimi është një domosdoshmëri përballë sfidave si ndryshimet klimatike, rritja e kostove dhe nevoja për standarde europiane.
Një tjetër risi e portalit është publikimi online dhe në kohë reale i çmimeve të tregjeve dhe pikave të grumbullimit, për të rritur transparencën dhe orientimin e fermerëve.
Projekti parashikon gjithashtu përdorimin e sensorëve inteligjentë për vaditjen, plehërimin dhe monitorimin e kushteve të parcelave.
Gjatë prezantimit u realizua edhe një demonstrim live nga fermerja Manjola Hafizi, duke treguar funksionimin praktik të portalit dhe ndërveprimin me “YLLI”-n. /Monitor