Fermerët shqiptarë të pajisur me NIPT do të përfitojnë një kompensim prej 10% të TVSH-së, sipas paketës së re fiskale, kur të shesin produktet e tyre bujqësore te grumbulluesit, përpunuesit apo agroturizmet.
Nga kjo skemë përjashtohen fermerët që janë subjekt i TVSH-së.
Kompensimi do të zbatohet për herë të parë dhe do të administrohet nga tatimet, me qëllim të mbështetjes së fermerëve që nuk kanë të drejtë të zbresin TVSH-në për blerjet e inputeve bujqësore.
Skema pritet të ketë një efekt financiar prej rreth 1.5 miliardë lekësh në vitin e parë, ndërsa kërkesa për kompensim do të bëhet nga vetë fermeri, duke dorëzuar autofaturat dhe numrin e llogarisë bankare.
Administrata tatimore do të kryejë pagesën brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës.
Më parë, deri në vitin 2017, kompensimi 20% bëhej përmes përpunuesve, ndërsa më pas u ul në 6% dhe u hoq plotësisht në vitin 2022.
Aktualisht, fermerët përfitojnë subvencione direkte dhe kompensim për naftën, që në vitin 2024 kanë arritur përkatësisht në 2.64 miliardë dhe 1.25 miliardë lekë. /Revista Monitor