Nga fillimi i vitit 2025, tarifat e reja të sigurimit TPL në Shqipëri po llogariten mbi disa faktorë rreziku, duke sjellë diferencime të dukshme mes mjeteve.
Automjetet elektrike përfitojnë prime më të ulëta sigurimi, pasi klasifikohen me koeficientin minimal që zakonisht u takon mjeteve me motorë më të vegjël se 1300 cm³.
Mosha më e re e këtyre mjeteve ndikon gjithashtu në uljen e çmimit, duke bërë që siguracioni i një makine elektrike të kushtojë rreth 15,500–16,000 lekë në vit, në varësi të qarkut ku është regjistruar.
Paralelisht, përdorimi i automjeteve elektrike në vend është rritur ndjeshëm, veçanërisht nga bizneset dhe sidomos kompanitë e taksive.
Shteti aplikon disa lehtësira fiskale për këto mjete, si përjashtimi nga tarifat e regjistrimit dhe TVSH-ja për makinat e reja elektrike.
Megjithatë, rritja e fundit e çmimit të energjisë për pikat e karikimit ka sjellë shqetësim, pasi perceptohet si penalizim për transportin e gjelbër dhe frenim i investimeve në automjete elektrike. /Monitor