Oferta e Euros në tregun shqiptar mbetet shumë e lartë, çka ka çuar kursin Euro/Lek në një minimum të ri historik prej 96.57 lekësh.
Pavarësisht blerjeve të vazhdueshme nga Banka e Shqipërisë, monedha europiane vijon të jetë e dobët.
Banka Qendrore ka intensifikuar ndërhyrjet, duke blerë 15.1 milionë euro vetëm në ankandin e fundit dhe rreth 800 milionë euro gjatë nëntë muajve të këtij viti.
Megjithatë, këto blerje vetëm e kanë ngadalësuar rënien, jo e kanë ndalur atë.
Krahasuar me një vit më parë, Euro është zhvlerësuar me 1.8%, ndërsa në fund të vitit të kaluar rënia vjetore ishte 5.5%.
Sipas operatorëve të tregut, presioni i ofertës së lartë të Euros dhe rritja e volumit të tregtimeve valutore mbeten faktorët kryesorë të kësaj tendence. /Monitor