Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në vitin 2025 rreth 2.25 milionë shtetas shqiptarë jetojnë jashtë vendit, që përbën afërsisht 49% të totalit të shqiptarëve.
Vlerësimi bazohet në metoda indirekte, për shkak të mungesës së regjistrimeve të plota administrative për emigracionin.
Diaspora shqiptare ka një profil kryesisht të ri dhe aktiv ekonomikisht, pasi rreth 77% e saj janë në moshë pune 15–64 vjeç.
Migrimi shqiptar ka qenë i vazhdueshëm historikisht, por valët më të mëdha i përkasin periudhës pas viteve ’90.
Destinacionet kryesore të diasporës së re janë Greqia, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Franca.
Në Evropë jetojnë rreth 1.1 milion persona të lindur në Shqipëri, ndërsa afro 939 mijë figurojnë si rezidentë shqiptarë.
Paralelisht, po rritet numri i shqiptarëve që fitojnë shtetësinë e vendeve pritëse, duke treguar integrim më të qëndrueshëm.
Një komunitet i rëndësishëm ndodhet edhe në SHBA, me mbi 206 mijë persona me origjinë shqiptare.
INSTAT thekson se këto të dhëna janë thelbësore për hartimin e politikave që synojnë forcimin e lidhjeve të diasporës me Shqipërinë. /Monitor