Nga 1 janari 2026 hyn në fuqi paketa fiskale e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, e cila përfshin gjashtë ligje që prekin drejtpërdrejt bizneset, fermerët dhe qytetarët.
Ndër masat kryesore është zbatimi i marrëveshjes së paqes fiskale, e kundërshtuar nga Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila u ofron bizneseve parapagim tatimi kundrejt moskontrollit tatimor dhe mundësi rideklarimi me tatim 5%.
Paketa parashikon gjithashtu fshirjen e plotë të detyrimeve tatimore dhe doganore të papaguara deri në vitin 2014, si dhe falje të pjesshme për borxhet e mëvonshme, me kushte pagesash.
Një tjetër masë e rëndësishme është skema e re e kompensimit 10% të TVSH-së për fermerët, që do të aplikohet përmes autofaturave dhe platformës e-Albania.
Paralelisht, ulet përdorimi i parasë cash, vendoset detyrimi për terminale POS dhe hyjnë në fuqi rregulla të reja për fiskalizimin dhe procedurat tatimore.
Nga viti 2026 nis edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me tatim 5%, ndërsa çmimet e reja të referencës pritet të rrisin taksën e ndërtesës dhe kostot për ndërtuesit, veçanërisht në zonat bregdetare. /Monitor