Rivlerësimi i pronave për të përfituar nga tatimi i reduktuar prej 5% mund të rezultojë i pafavorshëm për qytetarët në rrethe nëse kryhet përmes Agjencisë së Kadastrës Shtetërore, pasi llogaritja bëhet me çmimet e referencës të miratuara në vitin 2016.
Ndryshe ndodh kur rivlerësimi kryhet nga një ekspert i licencuar, ku vlera përcaktohet sipas çmimeve aktuale të tregut.
Sipas ekspertëve të pasurive të paluajtshme, përdorimi i referencave të vjetra për 60 bashkitë e vendit e bën procesin pak të leverdishëm për pronarët.
Ndërkohë në Tiranë situata është ndryshe, pasi çmimet e referencës janë përditësuar në vitin 2023 dhe ndahen në 32 zona kadastrale, duke iu afruar më shumë realitetit të tregut.
Ministria e Financave ka propozuar një hartë të re referencash për rrethet, me rritje që në disa zona arrijnë deri në 200%, por projekti ende nuk është miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Ndryshimet e propozuara parashikojnë ndarjen e rretheve në 176 zona kadastrale dhe përfshirjen për herë të parë të fshatrave si zona më vete.
Rritja e çmimeve të referencës pritet të ndikojë edhe në taksën e ndërtesës dhe atë të ndikimit në infrastrukturë, duke rritur kostot si për qytetarët ashtu edhe për ndërtuesit. /Monitor