Vendi do të përfitojë një fotografim të ri ajror për rifreskimin e hartave kombëtare, të cilat nuk janë përditësuar prej pothuajse një dekade.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) njoftoi lidhjen e kontratës me operatorin fitues Mescioğlu Mühendislik ve Müşavirlik A.Ş., me një vlerë prej 265 milionë lekë (rreth 2.65 milionë euro).
Procedura e prokurimit ishte hapur në nëntor të vitit të kaluar dhe ka për qëllim “Ndërhyrje për Përditësimin e Sistemit Kombëtar të të Dhënave Gjeohapësinore për Mbështetjen e Zhvillimit Rajonal”, duke përfshirë fotografim ajror dixhital, prodhim të imazheve ajrore të orientuara nadir dhe oblik, skanim LIDAR dhe Modelin Dixhital të Terrenit (DT).
Sipas dokumenteve të FSHZH, ky fotografim është i domosdoshëm për shkak të ndryshimeve demografike dhe zhvillimit ekonomik, sidomos në sektorë si turizmi dhe bujqësia.
Të dhënat e reja hartografike do të ndihmojnë në krijimin e sistemeve dhe bazave të të dhënave që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm, veçanërisht në zonat urbane dhe turistike ku mungesa e informacionit vektorik dhe ortofotografive ka shkaktuar vështirësi në projekte infrastrukturore dhe stabilizimin e marrëdhënieve të pronësisë së tokës.
Projekti do të prodhojë hartë-bazë të unifikuar për gjithë territorin shqiptar, duke përfshirë Fotografimin Ajror Dixhital, Ortofoto RGB/CIR, fotografim oblik dhe modelin dixhital të terrenit.
Të dhënat e reja do të mundësojnë njohjen e gjendjes reale të veçorive gjeografike, mbështetje për plane kombëtare territoriale dhe analiza për kërkime shkencore, si: erozioni bregdetar, ndotja pyjore, zhvillimi i burimeve minerale, ndryshimet në përdorimin e tokës (p.sh. nga tokë bujqësore në zonë banimi ose nga pyll në tokë bujqësore), ndërtesa të reja dhe humbja e ndërtesave, si dhe vlerësim të rreziqeve natyrore si rrëshqitjet e tokës dhe zjarret në pyje.
Ky sistem do të mbështesë gjithashtu regjistrimin e popullsisë dhe zbatimin e sistemit kombëtar të adresave. /Monitor