Banka e Shqipërisë, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) dhe Sparkassenstiftung Albania (DSIK), organizuan aktivitetin për çeljen e simulimit Stock Market Learning Game, drejtuar punonjësve të sistemit bankar. Në vazhdën e aktiviteteve të edukimit financiar, ky konkurs u ofron bankierëve të përfshirë një mundësi të jashtëzakonshme për të eksploruar dhe për të mësuar më shumë mbi botën e tregjeve të aksioneve dhe strategjitë e investimeve.
Aktiviteti për çeljen e Stock Market Learning Game, nisi me fjalën e Zëvendësguvernatores zj. Natasha Ahmetaj, e cila theksoi se me ndryshimet e shpejta që po ndodhin në mjedisin e sotëm ekonomiko- financiar është shumë e rëndësishme pasja e njohurive të forta financiare mbi tregjet e kapitaleve, strategjitë e investimeve dhe menaxhimin e portofolit. Përmes këtij konkursi, pjesëmarrësit kanë mundësinë të vënë në praktikë konceptet teorike, të eksperimentojnë me strategji të ndryshme dhe të përjetojnë emocionet e një tregu të vërtetë financiar, edhe pse në një mjedis të simuluar.
Zëvendësguvernatorja Ahmetaj theksoi se kjo iniciativë mbështet edhe mekanizmat e implementimit të direktivave të Kapitullit 4 “Lëvizja e lirë e Kapitalit”, duke përgatitur dhe formësuar punonjësit bankarë me njohuri më të thelluara mbi funksionimin e tregjeve të kapitalit. /BSH