Qeveria shqiptare parashikon të përfitojë 6.8 miliardë lekë nga Plani i Rritjes i BE-së në buxhetin 2026, të cilat do të shpërndahen për projekte konkrete zhvillimi dhe reforma.
Kjo shumë është pjesë e paketës së madhe prej 6 miliardë eurosh të BE-së për Ballkanin Perëndimor, nga të cilat Shqipëria pritet të marrë rreth 922 milionë euro deri në vitin 2027.
Megjithatë, kjo shumë përbën më pak se 4% të investimeve totale publike për vitin 2026, duke treguar se fondet e BE-së janë ende në fazë të hershme aktivizimi.
Përfitimi i fondeve lidhet ngushtë me përparimin e reformave, sidomos në konkurrueshmëri, administratë publike, energji dhe përafrim me tregun e përbashkët europian.
Procesi i përgatitjes së projekteve është i ngadaltë dhe kërkon kapacitete të forta administrative, gjë që ka sjellë vonesa në disbursim.
Plani i Rritjes është një nismë e re e BE-së për periudhën 2024–2027, që synon të përshpejtojë integrimin ekonomik dhe rritjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor. /Revista Monitor