Shqipëria pritet të marrë ekuivalencën e mbikëqyrjes me Bashkimin Europian në gjysmën e parë të vitit 2026, një proces që certifikon përputhshmërinë e sistemit bankar me standardet e BE-së.
Ky hap pritet të rrisë interesin e grupeve bankare të Eurozonës për investime në tregun shqiptar dhe të përmirësojë kushtet e kreditimit.
Aktualisht, kërkesa minimale për mjaftueshmërinë e kapitalit në Shqipëri është 12%, shumë më e lartë se niveli 8% i BE-së, por ulja mund të ndodhë vetëm pas certifikimit të ekuivalencës.
Një ulje e tillë do të çlironte kapital për bankat dhe do të nxiste kreditimin e ekonomisë.
Procesi ka nisur në fund të vitit të kaluar, ndërsa një vlerësim i mëparshëm i Bankës së Shqipërisë tregoi një përafrim prej rreth 85% me standardet e BE-së. /Revista Monitor