Qeveria ka miratuar “Strategjinë për Modernizimin dhe Harmonizimin e Sistemeve të Informacionit Doganor 2025–2030”, një dokument që synon përafrimin e plotë të sistemeve doganore shqiptare me standardet teknologjike dhe procedurale të Bashkimit Europian.
Strategjia, e përgatitur nga Doganat, AKSHI, UNCTAD dhe me asistencën e DG TAXUD, përfshin zhvillimin e sistemeve qendrore, të decentralizuara dhe atyre kombëtare të nevojshme për zbatimin e Kodit Doganor të BE-së.
Qëllimi kryesor është që deri në vitin 2030 Shqipëria të operojë me një infrastrukturë doganore tërësisht të harmonizuar me BE-në, duke lehtësuar integrimin në tregun e përbashkët.
Dokumenti parashikon uljen e kohës së zhdoganimit, rritjen e sigurisë dhe forcimin e transparencës përmes sistemeve të avancuara të menaxhimit të riskut.
Bizneset do të përfitojnë nga procedura më të thjeshta, kosto më të ulëta administrative dhe një ambient më konkurrues për eksport-import.
Doganat theksojnë se modernizimi i sistemeve të informacionit mbetet thelbësor në kuadër të negociatave për Kapitullin 29 të integrimit europian. /Revista Monitor