Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik një draft që parashikon nxjerrjen në ankand të pasurive të paluajtshme të ndërtuara pa leje, të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Roli i Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) do të zgjerohet, duke përfshirë administrimin, ankandimin ose shpërndarjen e këtyre pasurive sipas nevojave të institucioneve publike.
Drafti parashikon trajtim të veçantë për objektet ku ekzistojnë blerës me kontrata noteriale, të cilat do të legalizohen dhe regjistrohen.
Në këto raste, AAPSK do t’i kërkojë Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) vijimin e procedurave të legalizimit sipas ligjit.
Për ndërtimet pa leje ku nuk ka marrëveshje me pronarët e truallit, parashikohet shpronësimi sipas legjislacionit në fuqi.
Kur ekziston një marrëveshje e dokumentuar me ish-pronarët e truallit, ajo do të respektohet.
AAPSK do të kryejë inventarizimin, ruajtjen dhe vlerësimin e destinacionit të pasurive të konfiskuara.
Gjithashtu, do të përcaktohen detyrimet financiare ndaj palëve të treta dhe përqindjet e përfitimit që rrjedhin nga marrëdhëniet ligjore ekzistuese.
Drafti synon të vendosë rregulla më të qarta për administrimin dhe zhvillimin e pasurive të ndërtuara në shkelje të ligjit. /Monitor