Pavarësisht rritjes së pagës minimale në 50 mijë lekë në janar, Shqipëria vijon të ketë nivelin më të ulët të pagës minimale në rajon dhe ndër më të ulëtat në Europë.
Sipas Eurostat, paga minimale në Shqipëri arrin në 517 euro, e favorizuar nga kursi i këmbimit, por mbetet dukshëm pas vendeve fqinje si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Hendeku bëhet edhe më i thellë kur paga matet sipas fuqisë blerëse, duke reflektuar rritjen më të shpejtë të çmimeve krahasuar me pagat.
Në terma PPS, paga minimale në Shqipëri është 708, kundrejt 1069 në Maqedoninë e Veriut dhe mbi 1 100 në Serbi, duke treguar një diferencë reale shumë më të madhe se ajo nominale.
Kjo nënkupton se punonjësit shqiptarë, pavarësisht rritjes së pagës, mund të blejnë ndjeshëm më pak mallra dhe shërbime.
Të dhënat konfirmojnë se problemi kryesor nuk është vetëm niveli i pagave, por edhe kostoja e lartë e jetesës në raport me të ardhurat.