Administrata Tatimore ka njoftuar se problematika e hasur ditët e fundit në aksesimin e Platformës Qendrore të Fiskalizimit është zgjidhur dhe sistemi funksionon normalisht që prej pasdites së 28 janarit.
Institucioni sqaron se tatimpaguesit duhet të vijojnë aktivitetin normal edhe në rast vështirësish teknike, duke respektuar procedurat ligjore në fuqi.
Tatimpaguesit që përdorin software fiskalizimi mund të lëshojnë fatura pa kod NIVF dhe t’i fiskalizojnë ato sapo platforma të rikthehet plotësisht.
Ndërkohë, subjektet pa software orientohen të pajisen me zgjidhje alternative ose me bllokun e veçantë të faturave pranë drejtorive rajonale tatimore.
Për rastet e zhdoganimit, afati ligjor për fiskalizim mbetet 7 ditë, ndërsa vonesat për shkaqe teknike do të shqyrtohen rast pas rasti.
Administrata Tatimore thekson se respektimi i këtyre udhëzimeve është thelbësor për garantimin e vijimësisë së biznesit dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore.