Pas problemeve që kanë zgjatur mbi dy javë në sistemin SelfCare, Administrata Tatimore ka njoftuar shtyrjen e afatit për deklarimin e inventarit analitik.
Afati për deklarimin e inventarit të datës 31.12.2025 është shtyrë deri më 20 shkurt 2026.
Sipas Tatimeve, kjo shtyrje synon t’u japë tatimpaguesve mundësinë për ta përmbushur saktë dhe korrekt këtë detyrim ligjor.
Inventari duhet të përfshijë të dhëna të detajuara për lëndët e para, produktet e gatshme dhe mallrat për rishitje, në njësi, sasi, çmim dhe vlerë.
Deklarimi do të kryhet elektronikisht në sistemin e-Filing, në rubrikën “Çështjet e mia”.
Dokumenti duhet të ngarkohet me emërtimin “Inventari 31.12.2025”.
Administrata Tatimore u bën thirrje tatimpaguesve të respektojnë afatin për të shmangur kontrollet në terren dhe penalitetet përkatëse. /Monitor