Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) miratoi një rregullore të re që saktëson mënyrën e zbatimit të portabilitetit të numrit, duke përfshirë rimbursimin e krediteve të mbetura për përdoruesit me parapagim.
Sipas rregullores, operatori dhënës duhet të kryejë rimbursimin brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës, duke ofruar pagesë në cash ose transfertë bankare, dhe mund të aplikojë një tarifë administrative deri në 500 lekë, vetëm nëse kjo parashikohet në kontratë.
Rregullorja parashikon gjithashtu detyrimin e operatorëve për t’i informuar paguesit qartë mbi tarifat dhe shumën e parashikuar që do të transferohet, për transaksionet që përfshijnë këmbimin e monedhës në ATM ose POS.
Pajtimtarët kanë të drejtë të kërkojnë kompensim për vonesa ose abuzime në procesin e portimit, megjithëse nuk përcaktohet konkretisht vlera e kompensimit.
Portabiliteti i numrave në Shqipëri filloi në 2011 për rrjetet celulare dhe në 2012 për rrjetet fikse. Deri në fund të vitit 2024, janë portuar rreth 1.3 milionë numra celularë dhe 20 mijë numra fiks.
Megjithatë, vitin 2024 procesi arriti nivelin më të ulët historik për numrat celularë, vetëm 19,500, me një shkallë refuzimi prej 50%, kryesisht për mospërputhje të ID-së së përdoruesit ose për detyrime kontraktore të paplotësuara.
Ligji i ri parashikon gjobë deri në 2% të të ardhurave vjetore, por jo më shumë se 50 milionë lekë, për operatorët që nuk përmbushin detyrimet e portabilitetit.
Rregullorja synon të forcojë transparencën, të sigurojë rimbursim të drejtë për përdoruesit dhe të përmirësojë funksionimin e procesit të portimit të numrave, i cili ka pasur vazhdimisht problematika të raportuara nga abonentët. /Monitor