Rritja e çmimeve të naftës në tregun vendas po shoqërohet edhe me shtrenjtimin e produkteve ushqimore, ku më i prekuri është vaji i lulediellit.
Importuesit vendas raportojnë se gjatë muajit mars çmimi me shumicë i vajit ushqimor është rritur me 7–8%, si pasojë e rritjes së kostove të furnizimit dhe transportit.
Në muajin shkurt, para nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, vaji i lulediellit tregtohej me shumicë 176–178 lekë për litër.
Nga java e tretë e marsit çmimi u rrit me rreth 5 lekë për litër, duke arritur 182–183 lekë, ndërsa nga java e fundit e muajit pritet një rritje tjetër me rreth 7 lekë për litër, duke e çuar çmimin në rreth 190 lekë për litër me shumicë.
Importuesit shpjegojnë se shtrenjtimi lidhet kryesisht me rritjen e çmimeve nga fabrikat prodhuese dhe tarifat e transportit.
Prodhuesit në Hungari, nga ku furnizohet Shqipëria, kanë rritur çmimet për shkak të kostove më të larta të karburantit dhe lëndëve djegëse, ndërsa transporti është shtrenjtuar ndjeshëm.
Nëse në shkurt transporti i një ton vaji kushtonte 140–160 USD, pas nisjes së luftës tarifa ka arritur rreth 200 USD për ton, duke shtuar koston për litër.
Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe në mars 2022, pas fillimit të luftës Rusi–Ukrainë, kur çmimi i vajit të lulediellit në tregun shqiptar u rrit me rreth 33%, duke arritur deri në 400 lekë për litër në pakicë gjatë muajit prill.
Kjo tregoi varësinë e lartë të tregut vendas nga importet dhe ndjeshmërinë ndaj krizave ndërkombëtare.
Ekspertët theksojnë se mungesa e prodhimit vendas të vajit ushqimor e bën ekonominë shqiptare më të ekspozuar ndaj inflacionit të çmimeve.
Shqipëria ka pasur dy rafineri për përpunimin e vajit, kompaninë Olim dhe shoqërinë Vajra Bimore që tregtonte vajin “Fiol”, por prej vitit 2016 ato nuk importojnë më vaj të papërpunuar për rafinim dhe janë kthyer kryesisht në ambalazhues të vajit të importuar, duke ulur kapacitetin e prodhimit vendas dhe amortizimin e goditjeve nga tregjet ndërkombëtare. /Monitor