Raporti i Këshillit të Ministrave për negociatat 2025–2026 tregon se Shqipëria po avancon me ritëm të shpejtë në procesin e integrimit në BE, duke hapur grupkapitujt dhe miratuar reforma ligjore, por sfida kryesore mbetet zbatimi i tyre në praktikë.
Dokumenti thekson se shumë procese, sidomos në drejtësi, digjitalizim, transparencë dhe luftën kundër korrupsionit, janë ende në faza zhvillimi ose implementimi të pjesshëm.
Edhe pse janë hartuar plane integriteti për sektorë me risk si shëndetësia dhe prokurimet publike, mbetet një hendek i dukshëm mes legjislacionit dhe funksionimit real në terren.
Barra e reformave pritet të rritet ndjeshëm, pasi BE ka vendosur dhjetëra kushte mbyllëse në sektorë kyç si energjia, bujqësia dhe konkurrueshmëria.
Raporti evidenton gjithashtu problematika në çështjen e pronave, ku regjistrimi i parë mbulon ende vetëm 91.5% të territorit, ndërsa procesi i legalizimeve vijon në shkallë të gjerë.
Në luftën kundër korrupsionit janë raportuar hetime dhe dënime, por rezultatet për korrupsionin e nivelit të lartë mbeten të kufizuara.
Ndërkohë, sistemi i drejtësisë vazhdon të përballet me mijëra çështje të prapambetura, duke treguar se reformat institucionale kërkojnë ende kohë dhe kapacitete për të dhënë efekt të plotë. /Monitor