Bashkia e Tiranës ka dhënë 250 mijë metra katrorë leje ndërtimi në tremujorin e tretë të vitit, duke përfaqësuar 71% të totalit të lejeve të miratuara në rang vendi, sipas INSTAT.
Megjithatë, instituti thekson se statistikat aktualisht bazohen vetëm në të dhënat e bashkive, pasi ende mungon raportimi i plotë dhe i unifikuar nga të gjitha institucionet që marrin pjesë në procesin e miratimit të lejeve.
Për këtë arsye, të dhënat e tremujorit të tretë 2025 nuk mund të krahasohen me ato të vitit 2024, kur Tirana kishte një rekord prej 685 mijë metrash katror leje. Ndërkohë, Këshilli Kombëtar i Territorit ka dhënë shumë leje për qiellgërvishtësa dhe projekte turistike, të cilat aktualisht nuk reflektohen në statistikat zyrtare.
Vetëm këtë vit, KKT ka miratuar të paktën 16 leje për kulla mbi 20 kate në Tiranë, duke krijuar një panoramë të pjesshme të aktivitetit ndërtimor në vend.
Sipas INSTAT, në gjithë Shqipërinë u miratuan 289 leje të reja ndërtimi në këtë tremujor, me vlerë totale projektesh prej 15.9 miliardë lekësh dhe një sipërfaqe prej mbi 350 mijë metrash katrorë. /Revista Monitor