Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi rezultatet e projektit “ProTax Albania”, një reformë madhore që synon modernizimin e taksës së pasurisë në Shqipëri sipas standardeve europiane.
Ai bëri të ditur se projektligji i ri për Taksën e Pasurisë ka përfunduar dhe shumë shpejt do t’i dërgohet Këshillit të Ministrave për miratim.
Reforma përfshin krijimin e Kadastrës Fiskale, një sistem unik kombëtar që unifikon të gjithë informacionin e ndërtesave dhe truallit.
Zbatimi i ligjit të ri do të nisë në vitin 2028 për ndërtesat dhe në 2030 për tokën, ndërsa 2026–2027 do të jenë vite tranzitore me integrimin e të gjitha bashkive në sistem.
Objektivi i qeverisë është që të rrisë të ardhurat nga taksa e pronës në 1% të PBB-së, në përputhje me vendet e OECD-së, duke forcuar rolin financiar të bashkive.
Ministri theksoi se suksesi i reformës varet nga angazhimi i bashkive dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm institucional.