Familjet me fëmijë nën 18 vjeç do të përfitojnë kompensim tatimor duke filluar nga viti 2026, përmes rillogaritjes së tatimit mbi të ardhurat e vitit 2025.
Kompensimi nuk jepet si shumë fikse, por llogaritet pas plotësimit të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) deri më 31 mars 2026.
Nga baza vjetore e tatueshme zbriten 48 mijë lekë për çdo fëmijë në ngarkim dhe 100 mijë lekë në vit për shpenzimet e arsimit, kjo e fundit vetëm për individët me të ardhura deri në 1.2 milionë lekë në vit.
Nëse nga rillogaritja rezulton tatim i mbipaguar, individi ka të drejtë të kërkojë rimbursim brenda tre muajve.
Në çiftet bashkëshortore, zbritjet i përfiton vetëm prindi me të ardhura më të larta vjetore.
Kompensimi për fëmijët përfitohet edhe nga individët që kanë qenë të punësuar vetëm për një muaj gjatë vitit 2025.
Në rastet kur pas zbritjeve baza tatimore rezulton negative, ajo konsiderohet zero dhe tatimi është zero.
Për të përfituar zbritjet, është i domosdoshëm plotësimi i DIVA-s dhe ruajtja e dokumentacionit justifikues.
Dokumentet përfshijnë certifikatën familjare dhe faturat për shpenzimet arsimore, të cilat ruhen për të paktën 5 vite.
Shpenzimet për arsimin publik nuk përfitojnë zbritje, pasi nuk ka pagesa të dokumentuara.
Efekti financiar i kësaj skeme vlerësohet rreth 15 milionë euro në vit, që do të mbështesë buxhetet e familjeve shqiptare. /Monitor