Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël zbatohet për çdo tatimpagues që realizon qarkullim vjetor deri në 8 milionë lekë.
Të ardhurat e tatueshme përfshijnë të gjitha të ardhurat e realizuara nga aktiviteti ekonomik, ndërsa fitimi i tatueshëm llogaritet si diferencë mes të ardhurave dhe shpenzimeve të njohura ligjërisht.
Shpenzimet njihen vetëm nëse kryhen për qëllime biznesi, janë të dokumentuara dhe nuk bien ndesh me kufizimet ligjore.
Shkalla tatimore për këtë kategori tatimpaguesish është 0%, duke e përjashtuar praktikisht biznesin e vogël nga pagesa e tatimit mbi fitimin.
Tatimpaguesit kanë detyrimin të lëshojnë fatura dhe të mbajnë dokumentacion të rregullt për shitjet, blerjet, të ardhurat, shpenzimet dhe aktivet e biznesit.
Deklarata vjetore tatimore duhet të dorëzohet brenda datës 10 shkurt të vitit pasardhës, sipas udhëzimeve të Ministria e Financave.
Çdo tatimpagues, i cili kryen një biznes, me anë të të cilit realizohet gjatë vitit fiskal qarkullim më i vogël ose i barabartë me 8 000 000 (tetë milionë) lekë, i nënshtrohet detyrimit të pagesës së tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël.
Të ardhurat e tatueshme
Të ardhurat gjithsej, nga veprimtaria e biznesit të vogël nënkuptojnë çdo lloj të ardhure, të realizuar gjatë periudhës tatimore dhe përfshijnë, pa u kufizuar vetëm në to:
- të ardhurat e realizuara nga furnizimi i mallrave dhe shërbimeve,
- të ardhurat nga pjesëmarrjet,
- të ardhurat nga interesat,
- të ardhurat nga shfrytëzimi i pasurisë së luajtshme e të paluajtshme,etj.
Të ardhurat e tatueshme apo fitimi i tatueshëm rezulton si diferencë midis:
- të ardhurave gjithsej të realizuar gjatë periudhës tatimore me,
- shpenzimet e njohura.
Sqarim:
- Shpenzimet e njohura janë ato që kryhen për qëllime fitimi, sigurimi dhe ruajtje të fitimit, në masën që këto shpenzime provohen dhe dokumentohen nga tatimpaguesi, si dhe kur janë objekt i kufizimeve të specifikuara nga ky ligj.
- Shpenzime të panjohura janë ato që përcaktohen në nenin 13, të Ligjit Nr.9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar
Shkalla tatimore e aplikueshme mbi fitimin e tatueshëm, për tatimpaguesit që i nënshtrohen tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim vjetor nga 0 (zero) deri në 8 (tetë) milionë lekë, është 0%.
Mbajtja e dokumentacionit
Për çdo shitje të kryer janë të detyruar:
- të lëshojnë faturë të thjeshtë tatimore, për çdo blerës të tatueshëm që merr furnizimin.
- Për çdo blerës individ konsumator final, është i detyruar të lëshojë fature nga pajisja fiskale.
- Dokumente të tjera të miratuar në akte të tjera ligjore apo nënligjore, (p.sh. biletat e transportit të udhëtarëve, dëftesë tatimore).
Çdo blerje të tyre janë të detyruar ta justifikojnë me:
- faturë tatimore me TVSH, kur blerja është kryer te personat e regjistruar si tatimpagues të TVSH-së.
- faturë të thjeshtë tatimore, kur blerja është kryer te personat e regjistruar si tatimpagues të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin dhe nuk janë tatimpagues të TVSH-së.
Tatimpaguesit janë të detyruar të mbajnë:
- librin e shitjeve, ku regjistrojnë në mënyrë kronologjike çdo shitje të kryer me faturë të thjeshtë tatimore si dhe totalin e shitjeve ditore të kryer me kuponë tatimorë;
- librin e blerjeve, ku regjistrojnë në mënyra kronologjike çdo blerje të kryer me faturë tatimore, me TVSH, me faturë të thjeshtë tatimore;
- libri i shpenzimeve dhe të ardhurave;
- librin e aktiveve të biznesit.
Sqarim: Për tatimpaguesit, subjekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël që janë të regjistruar në TVSH, libri i shitjeve dhe libri i blerjeve të mbajtura për efekte të TVSH, shërbejnë si të tillë edhe për efekte të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël.
Deklarimi
- Çdo tatimpagues, subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, është i detyruar që deri më 10 Shkurt të vitit që pason periudhën tatimore të dorëzojë deklaratën vjetore tatimore, ku të jepen hollësisht të ardhurat gjithsej, shpenzimet e zbritshme, fitimi i tatueshëm, tatimi për t’u paguar, si dhe çdo hollësi tjetër e përcaktuar me udhëzim të Ministrit të Financave për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës tatimore vjetore.
Dokumenta ndihmëse
- Deklarate vjetore e tatimit te thjeshtuar mbi fitimin e biznesit te vogel
- Dëftesë Tatimore
- Faturë e thjeshtë tatimore
- Libri i blerjeve
- Libri i shitjeve