Kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil në vendet e Bashkimit Europian shënuan rritje në tetor 2025, duke arritur në 505 aplikime, niveli më i lartë që nga janari, sipas të dhënave të INSTAT.
Megjithatë, në total për periudhën janar–tetor 2025, aplikimet ranë me 29.5% në krahasim me një vit më parë, duke konfirmuar një prirje zbritëse afatmesme.
Krahasuar me kulmin e vitit 2022, kërkesat për azil janë më shumë se përgjysmuar, ndërsa Franca dhe Gjermania mbeten destinacionet kryesore.
Në të njëjtën kohë, të dhënat e Eurostat tregojnë se emigrimi përmes lejeve të punës është bërë forma dominuese e largimit, me rreth 72 mijë leje qëndrimi të dhëna që nga viti 2021.
Numri i shqiptarëve që emigrojnë me leje pune është tashmë gati dy herë më i lartë se ai i azilkërkuesve.
Në nivel europian, aplikimet për azil në tetor 2025 shënuan rënie vjetore, me Spanjën, Italinë, Francën dhe Gjermaninë që përqendruan pjesën më të madhe të kërkesave. /Monitor