Çmimet e metaleve kryesore kanë shënuar nivele rekord, teksa ari, argjendi, bakri dhe kallaji kanë vijuar një rritje të fortë të nxitur nga tensionet gjeopolitike dhe pasiguritë ekonomike globale.
Ari arriti një maksimum historik mbi 4,600 dollarë për ons, ndërsa argjendi theu për herë të parë pragun e 90 dollarëve, duke reflektuar kërkesën e lartë për asete të sigurta.
Edhe bakri dhe kallaji regjistruan rekorde të reja, pavarësisht se kjo rritje nuk lidhet me faktorët tradicionalë të ofertës dhe kërkesës.
Analistët vlerësojnë se tregjet po lëvizin me një ritëm të pazakontë, duke e futur sektorin e metaleve në “territor të panjohur”.
Shqetësimet janë përforcuar nga përshkallëzimi i tensioneve në Iran dhe deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, si dhe nga debatet mbi pavarësinë e Federal Reserve.
Hetimi ndaj kreut të saj, Jay Powell, ka shtuar pasigurinë në tregje, duke dhënë një shtysë shtesë për arin dhe argjendin.
Ndërkohë, faktorë si tarifat e mundshme amerikane dhe ndërprerjet në furnizimin global kanë thelluar presionin rritës mbi metalet bazë.