Mimoza Hajdarmataj, sekretare e përgjithshme e Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, vlerëson se tregu i sigurimeve në vitin 2025 ka shënuar rritje të qëndrueshme dyshifrore, me primet bruto që arritën 22.3 miliardë lekë, të nxitura kryesisht nga sigurimi i detyrueshëm motorik.
Ajo thekson se nga viti 2026, zbatimi i sistemit bonus–malus pritet të sjellë tarifim më të drejtë, ulje të abuzimeve dhe edukim të konsumatorëve drejt çmimeve të bazuara në risk real.
Sipas saj, industria është përgatitur teknikisht dhe institucionalisht për këtë reformë përmes investimeve në teknologji, cilësi të të dhënave dhe sisteme të avancuara tarifimi.
Hajdarmataj nënvizon se bonus–malus nuk është vetëm një mekanizëm tarifimi, por një nxitës për transparencë, kulturë sigurimi dhe bashkëpunim institucional.
Ajo parashikon zgjerim të mëtejshëm të digjitalizimit në vitin 2026, përfshirë përdorimin e Inteligjencës Artificiale në menaxhimin e riskut dhe dëmeve.
Megjithatë, sfida kryesore mbetet niveli i ulët i penetrimit të sigurimeve dhe nevoja për një qasje të koordinuar mes industrisë, rregullatorit, qeverisë dhe publikut. /Monitor