Autoriteti i Konkurrencës ka miratuar blerjen e platformës Tring nga Vertex Holding, pas një procedure të thelluar për vlerësimin e kapaciteteve financiare dhe funksionale të blerësit.
Vertex Holding është në pronësi të Valon Shalës, i cili zotëron edhe shoqëri të tjera në Kosovë, përfshirë operatorin Artmotion.
Transaksioni do të financohet pjesërisht përmes një kredie bankare, me Tring si bashkëkredimarrës dhe me garanci nga disa kompani të lidhura.
Autoriteti ka evidentuar se Tring ka tregues financiarë të dobët dhe vështirësi për të konkurruar me DigitAlb, që dominon tregun.
Megjithatë, blerësi ka paraqitur një strategji zhvillimi të fokusuar në inovacion, zgjerim abonentësh dhe rritje të shërbimeve OTT/IPTV.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, transaksioni pritet të përmirësojë performancën financiare të Tring dhe të forcojë konkurrencën në tregun e shërbimeve televizive me pagesë në Shqipëri.