Doganat shqiptare pritet të funksionojnë me një Dritare të Vetme Kombëtare Doganore, sipas një projektligji të hedhur për konsultim publik, që synon digjitalizimin e plotë të procedurave të import-eksportit.
Sistemi do të mundësojë dorëzimin elektronik të dokumentacionit vetëm një herë, përmes dokumenteve të standardizuara, duke krijuar një mjedis “pa letër”.
Faza e ndërtimit dhe implementimit do të financohet me 5.9 milionë dollarë kredi nga Banka Botërore, ndërsa operimi vjetor kërkon rreth 1.36 milionë dollarë.
Projektligji parashikon dy opsione financimi: mbulimin e plotë nga buxheti i shtetit ose vetëfinancim përmes tarifave të regjistrimit, abonimit dhe transaksioneve doganore.
Nisma synon të ulë burokracinë, korrupsionin dhe kontaktet fizike me administratën, duke përshpejtuar zhdoganimin e mallrave.
Po ashtu, pritet të rrisë transparencën, efikasitetin dhe të ulë kostot për bizneset dhe institucionet publike.
Kjo është hera e parë që financohet një projekt i tillë në funksion të doganës elektronike në Shqipëri.