Tenderi i AKSHI-t për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit është bllokuar sërish, ndërsa bizneset po përballen me pasoja serioze nga kolapsi i këtij sistemi kritik.
Komisioni i Prokurimit Publik vendosi më 3 shkurt të pezullojë procedurën, duke argumentuar se dokumentacioni i tenderit nuk është publikuar i plotë dhe se mungojnë sqarime për terma teknikë thelbësorë.
Bëhet fjalë për një tender me vlerë 7.7 milionë euro, i hapur që në maj të vitit të kaluar, i cili ka kaluar në një zinxhir të gjatë ankimimesh.
Pavarësisht se kanë kaluar tetë muaj nga hapja, procedura mbetet e bllokuar, duke shënuar një precedent të pazakontë për zgjatjen e prokurimeve publike në vend.
Ankimimet fillimisht u paraqitën nga kompania CSP dhe më pas janë vijuar në seri nga kompania Data Log.
Ndërkohë, përplasjet mes operatorëve ekonomikë për kontratën po shoqërohen me kosto të drejtpërdrejta për bizneset shqiptare.
Këto të fundit mbeten të pamundura për të dorëzuar bilancet dhe dokumentacionin fiskal, si pasojë e problemeve të vazhdueshme të sistemit të fiskalizimit. /Kapitali