Komisioni i Prokurimeve Publike ka hequr pezullimin për tenderin 7.7 milionë euro që lidhet me mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit, duke i hapur rrugë vijimit të procedurës nga autoriteti kontraktor.
Procedura zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për llogari të Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pas reflektimit të kërkesave të bëra më herët nga KPP.
Tenderi, i hapur në prill të vitit të kaluar me fond limit 770 milionë lekë, synon mirëmbajtjen për 24 muaj të Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit, pjesë e sistemit të fiskalizimit.
Ky sistem është i hostuar në Qendrën e të Dhënave Qeveritare pranë AKSHI-t dhe ofron shërbime për rreth 125 mijë tatimpagues, si dhe për administratën tatimore.
Dokumentet theksojnë se sistemi duhet të jetë funksional 24/7, pa ndërprerje, pasi shërbimet si fiskalizimi, verifikimi dhe pranimi i faturave janë kritike për bizneset dhe institucionet publike.
Çdo ndërprerje, qoftë edhe për përditësime teknike, nuk tolerohet përtej pak minutave, duke e bërë mirëmbajtjen një element thelbësor për garantimin e stabilitetit të administrimit tatimor elektronik. /Monitor