Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka konstatuar shkelje të rënda të sigurisë ushqimore gjatë një kontrolli në një subjekt me aktivitet “baxho/përpunim qumështi” në qarkun e Fierit.
Sipas njoftimit zyrtar, inspektorët evidentuan mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë së produkteve, moszbatim të sistemit të vetëkontrollit HAÇP dhe tregtim produktesh pa etiketim.
Në kuadër të masave administrative, AKU vendosi bllokimin e produkteve të konsideruara të pasigurta, përfshirë 1400 kg krem gjalpi, 2415 kg mocarela, 90 kg gjalpë të freskët lope, 100 kg gjizë dhe 18 kg mocarela në kova.
Këto produkte do të asgjësohen sipas procedurave përkatëse.
Ndaj subjektit është vendosur masë administrative me gjobë në vlerën 250 mijë lekë.
AKU thekson se do të vijojë kontrollet rigoroze për mbrojtjen e shëndetit publik dhe u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast që cenon sigurinë ushqimore. /ATA