Stoku i borxhit publik përbëhet nga borxhi i Qeverisë Qendrore, borxhi i pushtetit lokal dhe borxhi i garantuar nga Qeveria Qendrore.
Borxhi i pushtetit lokal në Shqipëria ka përmasa shumë të vogla dhe aktualisht është minimal, duke shkuar drejt zeros.
Niveli më i lartë i tij u regjistrua në vitin 2015 me 957 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2025 ka zbritur në vetëm 11 milionë lekë.
Edhe borxhi i garantuar i Qeverisë Qendrore, ndonëse përbën një pjesë relativisht të vogël të stokut total, ka pasur luhatje të ndjeshme.
Ai arriti kulmin në vitin 2015 me 56 miliardë lekë, më pas ra gradualisht, u rrit sërish në vitin 2021 në 54.9 miliardë lekë dhe më tej pësoi rënie të vazhdueshme deri në 29.1 miliardë lekë në fund të vitit 2025.
Kjo dinamikë ka ndikuar në ecurinë e përgjithshme të stokut të borxhit publik, i cili në thelb dominohet nga borxhi i Qeverisë Qendrore.
Në vitet e fundit, stoku i borxhit publik ka paraqitur këto nivele: në vitin 2021 ishte 1,382.9 miliardë lekë; në 2022 zbriti në 1,378.6 miliardë lekë; në 2023 në 1,362.8 miliardë lekë; ndërsa në 2024 arriti në 1,365.0 miliardë lekë.
Kjo tendencë e qëndrueshme me luhatje të lehta u ndërpre në vitin 2025, kur stoku i borxhit publik u rrit në 1,401.5 miliardë lekë, me një shtesë prej 36.5 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2024. /Monitor