Në disa pika të shitjes me pakicë në Tiranë ka nisur rritja e çmimit të naftës me 4 lekë për litër, si pasojë e shtrenjtimit në bursat ndërkombëtare pas tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sipas vëzhgimit të “Monitor”, rritja ka nisur të reflektohet që prej ditës së djeshme në disa pika karburanti brenda qytetit, ndërsa në autostradë çmimet mbeten të pandryshuara.
Në pikat e Elda në zonën e Xhamllikut dhe Bërrylit, nafta po tregtohet me 179 lekë për litër, nga 175 lekë që ishte më parë, ndërsa benzina mbetet 179 lekë.
Ndërkohë, në pikat e Kastrati nafta vijon të shitet me 175 lekë për litër, ndërsa në Shell çmimi është 178 lekë për litër.
Shoqata e Hidrokarbureve ka paralajmëruar se rritja në bursa mund të reflektohet në ditët në vijim me 10 deri në 20 lekë më shumë për litër.
Në tregjet ndërkombëtare, nafta ka arritur në 83 dollarë për fuçi, nga 65 dollarë që ishte para nisjes së luftës në Iran. /Monitor