Fitimet e sektorit bankar në Shqipëri mbeten të qëndrueshme edhe gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave më të fundit, në periudhën janar-mars 2026, bankat realizuan rreth 89 milionë euro fitim neto.
Shoqata Shqiptare e Bankave bën me dije se fitimi neto i sistemit bankar arriti në 8.42 miliardë lekë në fund të marsit 2026, nga 8.35 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej rreth 1%.
Gjatë tremujorit të parë të vitit u regjistrua gjithashtu rritje e moderuar në kreditim, depozita dhe investime në tituj, ndërsa kapitali mbeti pothuajse i pandryshuar.
Portofoli i kredive neto u zgjerua me rreth 20.3 miliardë lekë në vetëm tre muaj, duke kaluar nga 926 miliardë lekë në fund të vitit 2025 në 946 miliardë lekë në fund të marsit 2026, ose një rritje prej 2.2% në baza tremujore.
Edhe depozitat vijuan trendin rritës, duke arritur në 1.9 trilionë lekë nga 1.88 trilionë lekë në fund të vitit të kaluar.
Investimet në tituj vazhdojnë të zënë peshën më të madhe në strukturën e aktiveve bankare dhe u rritën me 3.4%.
Në përgjithësi, sektori bankar shqiptar shfaqi performancë pozitive gjatë tremujorit të parë të vitit, me norma të qëndrueshme fitimi dhe tregues në përmirësim të kapitalizimit.