Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka vendosur të rrisë me 142.3 milionë lekë vlerën e kontratës për ndërtimin e selisë së saj të re, duke e çuar koston totale të projektit në rreth 9.3 milionë euro pa TVSH. Me përfshirjen e tatimit mbi vlerën e shtuar, fatura përfundimtare për taksapaguesit shqiptarë arrin në rreth 11.2 milionë euro.
Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, shtesa e kontratës përfaqëson afërsisht 20% të vlerës fillestare të tenderit, përqindja maksimale që lejon legjislacioni aktual. Ende nuk janë bërë publike argumentet teknike që justifikojnë këtë rritje të konsiderueshme të kostos.
Godina e re do të ketë një sipërfaqe totale prej 6,385 metrash katrorë, përfshirë rreth 2,400 metra katrorë hapësira nëntokësore. Kjo përkthehet në një kosto prej afro 1,750 euro për metër katror vetëm për ndërtimin, pa llogaritur vlerën e truallit, i cili është pronë shtetërore.
Procesi i tenderimit ka qenë i shoqëruar me polemika që në fillim. Tenderi i parë, i zhvilluar në fund të vitit 2022, u anulua pasi të gjitha ofertat u skualifikuan, megjithëse oferta më e ulët ishte paraqitur nga bashkimi i kompanive Curri dhe Agri Construction. Pas ankesave në Komisionin e Prokurimit Publik, gara u anulua dhe u rihap nga e para.
Në tenderin e dytë u shpall fituese kompania Hastoçi me një ofertë prej 737.5 milionë lekësh. Tashmë kësaj vlere i janë shtuar edhe 142.3 milionë lekë të tjera, duke ngritur pikëpyetje të reja mbi menaxhimin e fondeve publike dhe efektivitetin e procedurave të prokurimit.
Rasti pritet të rikthejë debatin mbi praktikën e shtesave të kontratave në tenderët publikë, një mekanizëm që shpesh ka sjellë rritje të ndjeshme të kostove për projektet e financuara nga buxheti i shtetit. /Kapitali