Paga mesatare nominale në Shqipëri ka kaluar 86 mijë lekët në fund të vitit 2025, por rritja e çmimeve ka ulur ndjeshëm fuqinë blerëse të qytetarëve.
Sipas INSTAT, paga reale për të njëjtën periudhë ishte vetëm 72,225 lekë, rreth 17% më e ulët se paga nominale.
Kjo do të thotë se me të ardhurat aktuale shqiptarët blejnë pothuajse të njëjtën sasi mallrash që në vitin 2020 blihej me rreth 72 mijë lekë.
Hendeku mes pagës reale dhe asaj nominale është zgjeruar gradualisht gjatë viteve të fundit për shkak të inflacionit të akumuluar.
Ekspertët theksojnë se rritja e pagave nuk ka ardhur nga rritja e produktivitetit, por nga mungesa e fuqisë punëtore dhe presionet në tregun e punës.
Ndërkohë, rritja e çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe shërbimeve ka ushtruar presion të fortë mbi standardin e jetesës.
Sipas analizës, edhe politikat fiskale dhe taksat kanë ndikuar që një pjesë e rritjes së pagave të humbasë efektin real për konsumatorët. /Monitor