Vodafone Albania ka hequr dorë nga përdorimi i frekuencave në brezin 2100 MHz, pasi nuk arriti marrëveshje me qeverinë për çmimin e rinovimit të licencës.
Kjo është hera e parë që një operator celular në Shqipëri nuk rinovon një pjesë të rëndësishme të spektrit të fituar më parë në tender.
Vodafone kishte fituar këtë licencë në vitin 2010 për 31.4 milionë euro dhe ishte kompania e parë që ofroi shërbimet 3G në vend.
Negociatat mes kompanisë dhe institucioneve shqiptare gjatë janarit 2026 përfunduan pa dakordësi për çmimin minimal të propozuar nga autoritetet.
Si rezultat, AKEP urdhëroi lirimin e brezit të frekuencave 2100 MHz dhe paralajmëroi një konsultim publik për rialokimin e tij.
Zhvillimi vjen në një moment kur tregu celular shqiptar funksionon vetëm me dy operatorë, duke rritur fuqinë negociuese të tyre ndaj shtetit.
Ndërkohë, përdoruesit po përballen me çmime më të larta të shërbimeve celulare, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetime për rritjen e tarifave në treg. /Monitor