Qeveria shqiptare ka zbardhur strukturën e plotë të shoqërisë së re aksionare shtetërore “Albanian Digital Solution” (ADS), e cila është krijuar me një kapital fillestar prej 700 milionë lekësh dhe një organikë prej 345 punonjësish.
ADS do të funksionojë si kompani simotër e AKSHI-t, me synimin për të tërhequr ekspertë të teknologjisë përmes pagave konkurruese me sektorin privat.
Struktura organizative përfshin pesë departamente kryesore: Strategjinë dhe Projektet, Zhvillimin Digjital, Operimet dhe Infrastrukturën, Sigurinë Kibernetike dhe Departamentin Korporativ.
Shoqëria do të ketë rol të gjerë në zhvillimin, mirëmbajtjen dhe administrimin e platformave dhe sistemeve digjitale publike, por edhe në ofrimin e shërbimeve për sektorin privat.
Statusi si shoqëri aksionare i jep ADS fleksibilitet më të madh financiar, duke i lejuar të vendosë çmime, të krijojë të ardhura dhe të investojë në projekte apo kompani brenda dhe jashtë vendit.
Megjithatë, krijimi i saj ka ngritur debat mbi mbivendosjen e mundshme të funksioneve me AKSHI-n dhe rrezikun e rritjes së kostove publike nëse nuk shmangen strukturat paralele. /Monitor