Shqipëria po përballet me një transformim të thellë të politikave dhe infrastrukturës së transportit në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, veçanërisht përmes Kapitullit 14, që mbulon politikat e transportit.
Ky kapitull kërkon përafrimin e plotë me acquis communautaire, që do të sjellë rrugë më të sigurta, hekurudha më të shpejta e moderne, porte dhe aeroporte me standarde europiane, duke ulur kostot për qytetarët dhe bizneset.
Shqipëria është pjesë e rrjetit paneuropian TEN-T, i cili lidh nyjet kryesore të transportit në Europë, dhe përfshin dy korridore strategjike që kalojnë në territorin shqiptar: Korridori VIII (Durrës–Shkup–Sofje) dhe Korridori Adriatiko-Jonian (Shkodër–Vlorë–Kakavijë).
Këto projekte parashikojnë modernizim të linjave hekurudhore, ndërtim të autostradave dhe përmirësim të lidhjeve ndërmodale deri në vitet 2040–2050.
Në përputhje me rregulloret e reja të BE-së, Shqipëria duhet të përfshijë në strategjitë e saj karburantet alternative dhe infrastrukturën e karikimit elektrik (AFIR), duke krijuar rrjete të karikuesve elektrikë çdo 60 km përgjatë TEN-T dhe stacione furnizimi me hidrogjen çdo 200 km.
Po ashtu, parashikohet elektrifikimi i porteve dhe aeroporteve për të reduktuar ndotjen e ajrit dhe zhurmën.
Në këtë kuadër, Porti i Durrësit duhet të bëhet “OPS-ready”, pra të pajiset me furnizim elektrik nga bregu për anijet e pasagjerëve dhe kontejnerëve, duke e bërë portin më konkurrues dhe më miqësor me mjedisin.
Ndërkohë, aeroporti i Rinasit duhet të përafrohet me rregulloren ReFuelEU Aviation, që kërkon përfshirjen e karburanteve të qëndrueshme (SAF) në përzierjet e furnizimit, duke arritur gradualisht në 70% deri në vitin 2050.
Kjo nënkupton investime në depo, teknologji, dhe bashkëpunim me furnizuesit e karburanteve.
Në përgjithësi, këto reforma dhe projekte do të përmirësojnë cilësinë e jetës, do të reduktojnë ndotjen dhe do të nxisin integrimin e Shqipërisë në tregun e përbashkët europian të transportit, duke e afruar vendin me standardet e BE-së në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë. /Revista Monitor