Eksportet e mallrave shënuan rritje të lehtë prej 1% në tetor 2025, por për 10-mujorin ranë me 7%, duke arritur në 291 miliardë lekë.
Rritja e raportuar më herët nga INSTAT për 8-mujorin rezultoi e shtrembëruar nga përfshirja si ri-eksporte e tranziteve të karburantit drejt Kosovës.
Tendenca rënëse e eksporteve u ndikua kryesisht nga grupi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve pas mbylljes së Kurum, si dhe nga rënia e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë.
Tekstilet dhe këpucët vazhduan të luhaten, me rënie 7% në tetor, teksa sektori përballet me rënie të kërkesës dhe konkurrencën e platformave Shein e Temu.
Materialet e ndërtimit shënuan rikthim të fortë në tetor me +33%, por për 10-mujorin mbeten në rënie të thellë prej 29.5%.
Grupi “Ushqime, pije e duhan” vazhdoi prirjen pozitive, me rritje 7.1% në 10-mujor, i ndihmuar nga eksportet më të larta të bostanorëve.
Eksportet e mineraleve dhe energjisë rezultuan realisht në rënie 7.2% pas rishikimit të shifrave, ndërsa në tetor ranë me 15.4%.
Makineritë dhe pajisjet pësuan rënie 8% në tetor, të ndikuara nga zhvlerësimi i euros dhe kostot e larta.
Deficiti tregtar u rrit me 3.8% duke arritur 445 miliardë lekë, pasi eksportet ranë më shpejt se importet.
Eksportet shënuan rënie me partnerët kryesorë si Italia dhe Kosova, ndërsa u rritën me Greqinë, Gjermaninë dhe Spanjën.
Importet nga Kina dhe Italia u rritën ndjeshëm, ndërsa ranë nga Turqia dhe Gjermania.
Në përgjithësi, bilanci tregtar mbetet i përkeqësuar dhe sektori i eksporteve vazhdon të përballet me sfida strukturore dhe presione të tregjeve ndërkombëtare. /Revista Monitor