Banka e Shqipërisë ka përgatitur një projekt-rregullore “Për qëndrueshmërinë operacionale digjitale”, e cila synon të unifikojë kërkesat për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit për bankat, institucionet financiare jobanka dhe aktorët e kripto-aseteve.
Rregullorja kërkon krijimin e sistemeve të brendshme të qeverisjes dhe kontrollit për menaxhimin gjithëpërfshirës të rreziqeve TIK, duke përfshirë protokollet, procedurat dhe mekanizmat për mbrojtjen e infrastrukturës fizike dhe të të dhënave.
Subjektet financiare duhet të ndajnë funksionet e administrimit, kontrollit dhe auditimit sipas modelit të tre linjave të mbrojtjes dhe të përdorin sisteme të besueshme dhe fleksibël që përballojnë ngarkesat dhe teknologjitë e reja.
Rregullorja gjithashtu kërkon monitorim të vazhdueshëm, sigurim të integritetit dhe konfidencialitetit të të dhënave, dhe mbrojtje nga gabimet njerëzore dhe defektet teknike.
Subjektet do të raportojnë në Bankën e Shqipërisë çdo 3 muaj për progresin drejt përmbushjes së kërkesave.
Rregullorja pritet të hyjë në fuqi më 1 korrik 2027.