Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një proces të posaçëm monitorimi të tregut të mallrave të shportës, nga dita e djeshme deri më 15 janar, me fokus periudhën e festave të fundvitit.
Qëllimi i këtij monitorimi është kontrolli i ecurisë së çmimeve dhe sjelljes së ndërmarrjeve përgjatë zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit.
Monitorimi synon parandalimin e çdo rritjeje të pajustifikuar të çmimeve si pasojë e marrëveshjeve të ndaluara apo bashkërendimit të sjelljes tregtare.
Në fokus janë mallrat bazë si makarona, oriz, miell, vezë, sheqer, vaj ushqimor dhe pije joalkolike.
Autoriteti paralajmëron se çdo praktikë që shtrembëron konkurrencën në dëm të konsumatorëve përbën shkelje ligjore.
Institucioni ka bërë të ditur se do të informojë publikun për gjetjet dhe masat që mund të ndërmerren pas përfundimit të monitorimit.