Qeveria ka ndryshuar rregullat e vlerësimit doganor për mallrat dhe automjetet që importohen në Shqipëri, përmes Udhëzimit nr. 26, datë 17 dhjetor 2025, të nxjerrë nga Ministria e Financave.
Qëllimi kryesor është parandalimi i nënvlerësimit në zhdoganim, duke përdorur burime ndërkombëtare të përditësuara për çmimet e karburanteve, metaleve, ushqimeve dhe automjeteve.
Për karburantet dhe metalet si bakri, alumini dhe zinku, çmimet referuese do të përditësohen çdo ditë pune, ndërsa për ushqimet dhe materiale të tjera çdo dy javë.
Për automjetet, janë vendosur çmime minimale orientuese që do të aplikohen kur faturat e blerjes nuk pranohen.
Automjetet shumë të vjetra ose të blera me çmime shumë të ulëta jashtë vendit nuk mund të zhdoganohen më me vlera simbolike.
Rregulla të veçanta vlejnë edhe për mjetet me vit prodhimi më të hershëm se ato të referencave zyrtare, ku përcaktohen kufij minimalë fiks.
Këto masa synojnë barazi për të gjithë importuesit dhe rritje të transparencës fiskale.
Ndryshimet vijnë në një kohë kur tregu i automjeteve është rritur ndjeshëm, me 89,654 mjete të regjistruara për herë të parë në Janar–Nëntor 2025.
Sipas Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, mbi 80% e autoveturave të importuara kanë më shumë se 8 vite përdorim.
Sipas udhëzimit çmimet minimale për autoveturat sipas kapacitetit mbajtës janë:
deri në 1.4 motor: jo më pak se 162 500 lekë
1.4–1.9 motor: jo më pak se 250 000 lekë
1.9–2.5 motor: jo më pak se 406 000 lekë
2.5–3.0 motor: jo më pak se 500 000 lekë
3.0–4.5 motor: jo më pak se 625 000 lekë
mbi 4.5 motor: jo më pak se 1 000 000 lekë
Ndërsa për kamionçina, furgona dhe kamionë, çmimet minimale sipas kapacitetit mbajtës janë:
deri në 1.5 tonë: jo më pak se 500 000 lekë
1.5–3.5 tonë: jo më pak se 750 000 lekë
3.5–10 tonë: jo më pak se 1 062 500 lekë
10–15 tonë: jo më pak se 1 250 000 lekë
mbi 15 tonë: jo më pak se 1 500 000 lekë