Një numër klientësh të Banka Kombëtare Tregtare janë përballur me humbje të pajustifikuara fondesh, pasi kartat e tyre bankare janë përdorur në vende të ndryshme jashtë Shqipërisë.
Rastet e identifikuara tregojnë se transaksionet janë kryer në shtete si Bullgaria dhe Italia, me shuma të konsiderueshme parash.
Banka konfirmoi se kartat janë klonuar përmes një bankomati në Tiranë, ku autorët kishin instaluar një kamera për vjedhjen e të dhënave.
Sipas BKT-së, incidenti ka zgjatur rreth një orë dhe është konstatuar shpejt nga stafi, duke kufizuar numrin e kartave të prekura.
Banka garantoi se të gjithë klientët e dëmtuar do të rimbursohen plotësisht.
Megjithatë, rasti ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë kibernetike në sektorin bankar, në një kohë kur dixhitalizimi po rrit ekspozimin ndaj rreziqeve të tilla. / Kapital