Kristian Boçi, i njohur në rrjetet sociale për mesazhe motivuese, jetë luksoze dhe imazh familjar, dyshohet nga Prokuroria e Tiranës se është pjesë e një skeme të sofistikuar pastrimi parash me vlerë rreth 50 milionë euro.
Sipas hetimeve, skema përfshin shtatë persona dhe 14 kompani, të ndërtuara mbi qarkullim huash dhe parash cash.
Në qendër të saj qëndron edhe biznesmeni Elman Abule, i njohur për lidhjet e tij me Erion Veliaj, si dhe bashkëshortja e tij, Marisa Nito.
Prokuroria kërkoi sekuestrim preventiv të pasurive në vitin 2024, por një vendim i Gjykatës së Apelit në shtator 2025 e rrëzoi këtë masë, duke e cilësuar kërkesën të paplotë dhe të pambështetur në analiza financiare.
Vendimi u konsiderua i pazakontë nga burime pranë hetimit, të cilat paralajmëruan rrezikun e tjetërsimit të pasurive.
Hetimet zbulojnë një rrjet transaksionesh mes kompanive të lidhura, blerje pronash luksoze dhe përdorim të tyre si kolateral për kredi të shumta.
Skema dyshohet se ka lidhje edhe me persona të botës së krimit të organizuar, përfshirë Eldi Dizdari.
Avokatët e të dyshuarve i kanë mohuar akuzat, ndërsa Prokuroria e Tiranës konfirmon se çështja vijon të jetë ende në hetim. /Reporter