Qeveria e Republikës së Kosovës ka zyrtarizuar rritjen e pagës minimale për punëtorët me orar të plotë, duke e ndarë këtë proces në dy faza gjatë vitit 2026.
Nga 1 janari, paga minimale do të jetë 425 euro bruto, ndërsa nga 1 korriku ajo rritet në 500 euro bruto.
Vendimi, i nënshkruar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe publikuar me numër 10/273, synon përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve dhe forcimin e standardeve të tregut të punës.
Ministria e Financave, Inspektorati i Punës dhe Administrata Tatimore të Kosovës janë ngarkuar me zbatimin e tij.
Sindikatat kanë mirëpritur masën si një hap drejt drejtësisë sociale, ndërsa përfaqësues të sektorit privat kërkojnë mbështetje shtesë për bizneset e vogla dhe të mesme.
Rritja pritet të ndikojë pozitivisht në fuqinë blerëse të qytetarëve dhe në përmirësimin e kushteve të punës.
Vendimi hyn menjëherë në fuqi dhe do të monitorohet nga institucionet përkatëse. /Monitor