Për rreth 12 vite, qeveria shqiptare ka dështuar të krijojë një regjistër të plotë dhe bashkëkohor të aseteve fizike në pronësi publike, pavarësisht asistencës së vazhdueshme nga donatorët dhe Banka Botërore.
Të dhënat e fundit zyrtare mbi inventarin e pronave publike datojnë në vitin 2014, ndërkohë që prej asaj kohe miliarda euro janë shpenzuar për investime kapitale dhe mirëmbajtje.
Ministria e Financave e justifikon vonesën me mungesë kapacitetesh administrative, financimi dhe sistemeve të integruara të raportimit.
Mungesa e regjistrit e bën shtetin të paaftë të dijë saktësisht çfarë pasurish zotëron, sa vlejnë dhe si përdoren ato.
Kjo situatë kufizon transparencën dhe mbikëqyrjen nga Kuvendi, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe publiku, duke rritur rrezikun për abuzime, keqmenaxhim dhe humbje të pasurisë publike.
Në mungesë të një inventari të qartë, qytetarët mbeten pa informacion dhe kontroll real mbi pasuritë që duhet të shërbejnë në interesin publik. /Monitor