Ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me normë tatimore 5% hyn zyrtarisht në fuqi më 22 janar, ndërsa procesi i aplikimit pritet të nisë në javën e dytë të shkurtit dhe do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2026.
Ky mekanizëm u jep qytetarëve dhe bizneseve mundësinë të përditësojnë vlerën e pronës së tyre sipas çmimeve të tregut, me një barrë tatimore të reduktuar ndjeshëm krahasuar me normën standarde 15%.
Rivlerësimi pritet të nxisë rihapjen e tregut të shit-blerjes së pronave, i cili ishte frenuar në pritje të miratimit të ligjit.
Procedura parashikon që rivlerësimi të kryhet ose nga një ekspert i licencuar i vlerësimit të pasurive, ose nga drejtoritë vendore të Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Në rast se individi zgjedh vlerësimin sipas çmimit të tregut, ai duhet të kontraktojë një ekspert të licencuar dhe t’i bashkëngjisë aplikimit aktin përkatës të vlerësimit.
Më pas, drejtoritë vendore të Kadastrës përllogarisin bazën e tatueshme dhe shumën e tatimit që duhet paguar për regjistrimin zyrtar të rivlerësimit.