Rreth 3,000 pensionistë italianë që jetojnë në Shqipëri po përballen me pasiguri dhe ankth për mundësinë e taksimit të pensioneve të tyre, të cilat deri tani kanë qenë të pataksuara.
Shqetësimi vjen pas ndryshimeve në ligjin fiskal në janar 2024, i cili kufizoi përjashtimet tatimore vetëm për të ardhurat e mbrojtura nga marrëveshjet ndërkombëtare.
Një grup pensionistësh i ka dërguar letër të hapur kryeministrit Edi Rama, duke paralajmëruar se mund të detyrohen të paguajnë një taksë 15% dhe të deklarojnë të ardhurat përmes formularit “DIVA”.
Edhe pse gjatë vitit 2025 administrata tatimore nuk ka kërkuar pagesa, mungesa e qartësisë zyrtare ka shtuar frikën.
Pensionistët italianë përfitojnë mesatarisht 3,500 euro në muaj dhe një taksë e tillë mund t’i shtyjë të largohen drejt vendeve më miqësore fiskalisht.
Një zhvendosje masive do të kishte ndikim negativ për ekonominë shqiptare, pasi këto pensione sjellin mbi 136 milionë euro në vit në konsum lokal.